“Katka”, një film për t’i thënë “Jo” drogës

Një luftë që nuk mbaron kurrë dhe që para së cilës je gjithmonë i mundur…madje edhe atëherë kur je shtatzënë dhe pret të sjellësh në jetë një fëmijë…edhe më tepër kur të hiqet e drejta për të mbajtur fëmijën tënd… përsëri ti humbet! Varësia ndaj drogës është më e fortë nga të gjitha! Ajo duket se të sfidon dhe para saj nuk ka asnjë premtim të kundërt që mund ta mbash…Ndoshta nuk është kategorike, por ama është e rrallë, gati e vështirë të dalësh nga kjo udhë e errët…Kur je brenda saj, është tepër e vështirë, në mos e pamundur për t’iu larguar…Ky ka qenë mesazhi i filmit “Katka”, i fundit që edhe ka mbyllur edicionin e gjashtë të Festivalit të Filmit të të Drejtave të Njeriut, IHRFFA, të premten në mbrëmje, në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias MARUBI. “Katka”, një film dokumentar çek, sjell vëzhgimin e jetës së një vajze të re nga mosha 19 vjeçe deri kur ajo shkon 32 vjeç. Jeta e saj ka qenë e monitoruar nga regjisorja e guximshme, Helena Trestikovas. Katka, (e cila është personazh real) si në një reality-show, është e vëzhguar për vite me radhë…Devijimi i jetës së saj, përpjekjet ekstreme për të siguruar paratë për drogë, nga vjedhja deri te prostituimi, skenat e drogimit, ato të jetesës nëpër baraka, zhvendosjet nga një vend në tjetrin me çantat në kurriz, japin një panoramë mjaft të rëndë. Në fakt, edhe Kujtim Çashku, drejtori ekzekutiv i IHRFFA-s (dhe rektor i Akademisë së Filmit dhe Multimedias MARUBI), i parapriu shfaqjes së filmit si tronditës dhe i vlerësuar me mjaft çmime ndërkombëtare kudo ku kishte shkuar. Por tema e këtij filmi nuk ishte e vetmja e fortë. “Temat kryesore të këtij edicioni u lidhën me aspekte të krimit të organizuar, qofshin ato të korrupsionit, terrorizmit, fondamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore”, – është shprehur zoti Çashku.

Në fakt, vetë filozofia e këtij Festivali ka në qendër të drejtat e njeriut. Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF-it, kryetar i Bordit të IHRFFA-s, lidhur me këtë edicion thotë se “tani, në vitin e gjashtë, Festivali i Filmit është kthyer në një institucion. Unë shpresoj se do të bëhet një ngjarje e përhershme në zhvillimin e peizazhit kulturor të Shqipërisë”. Ndërsa, për sa u përket të drejtave të njeriut, ai shton se “diskutimet e të drejtave të njeriut shpesh duket të jenë një luks. Por këtu është gabimi. Shumë “probleme të përditshme” janë me të vërtetë probleme të të drejtave të njeriut, ose mund të llogariten në mesin e çështjeve të të drejtave të njeriut shumë shpejt..Ky është një kontribut, që Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri është në gjendje të bëjë. Kjo na jep një lente zmadhuese, nëpërmjet së cilës e shohim botën ndryshe”, – thekson Palm.

Ndërsa Presidenti i Nderit i IHRFFA-s, Theodore S.Orlin vë në dukje se “abuzimi i të drejtave të njeriut, për fat të keq, mbetet një dukuri shumë e zakonshme në shoqëritë e mbarë botës. IHRFFA, duke shfaqur për shqiptarët në kryeqytetin e tyre Tiranë, filma që portretizojnë problemet e të drejtave të njeriut nga i gjithë globi, është një demonstrim se, ndërsa të drejtat e njeriut mbeten një shqetësim global, ne duhet ta fillojmë nga shtëpia jonë, në Tiranë, për të bërë premtimin e dinjitetit njerëzor një realitet. Ky edicion i gjashtë është pra një rikonfirmim se kauza e të drejtave të njeriut ka një domethënie të vazhdueshme dhe është e lidhur me Shqipërinë bashkëkohore”.

Edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut ishte një dëshmi e konsolidimit të një tradite dhe interesave demokratike të një shoqërie në zhvillim, sikurse është shoqëria shqiptare. Përzgjedhja e 35 filmave artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër, nga mbi 300 filma të paraqitur nga mbarë bota, qe bazuar kryesisht në problematikat që lidhen me çështje të ngjashme me problematikat e vendit tonë. “Ndërsa u mbyll ky edicion i gjashtë, për ne ka nisur i shtati. Pasi është një punë njëvjeçare përzgjedhjesh filmash dhe tematikash për të konkluduar një festival filmi. Na vjen mirë që ndryshe nga edicioni i katërt dhe i pestë, ky edicion na gjeti pa tel të rrethuar”, – u shpreh drejtori Çashku në mbyllje të këtij festivali.

Historia reale, 14 vjet filmim

Filmi i Helena Trestikovas është një dokumentar i shquar, që gjurmon katërmbëdhjetë vjet në jetën e një shitëseje droge në moshë të re dhe betejën e saj të kotë me varësinë e drogës. Pse ajo të fillojë të marrë drogë? Ajo pretendon se donte të ishte ndryshe. Është viti 1996 dhe 19-vjeçarja Katka jeton në komunitetin terapeutik Sananim, në qytetin e Nemcices, me shpresë për një jetë normale – ajo ëndërron të ketë një të dashur dhe madje, edhe një fëmijë një ditë. Por nuk ka fund të lumtur. Regjisorja shënon rënien e Katkas ndër vite në një spirale vjedhjeje, prostitucioni, përkeqësimi fizik dhe psikologjik – një spirale që thyhet vetëm nga ndriçime të befta e të shkurtra shpresash dhe vendimesh për të ndaluar marrjen e drogës. Dëshira e Katkas është e sinqertë, por në fund drogat gjithmonë fitojnë. Do ta gjejë Katka më në fund forcën kur ajo mbetet shtatzënë dhe mëmësia t’i ofrojë motivimin për të qenë në jetë?

 

Nga Ilda Lumani – 02-10-2011 – Mapo Online

There are no comments yet. Be the first and leave a response!

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.

Trackback URL http://www.ihrffa.net/%e2%80%9ckatka%e2%80%9d-nje-film-per-t%e2%80%99i-thene-%e2%80%9cjo%e2%80%9d-droges/trackback/