Festivali i të Drejtave, 6 ditë arena e zërit të lirë

Edhe pas gjashtë edicionesh, ende mbetet shumë për të thënë për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Edhe në shoqëritë më demokratike në një mënyrë ose në një tjetër manifestohet dhuna ndaj fjalës së lirë, etniteteve, të ndryshmëve… Përgjatë 6 ditëve, Festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut u bë zëri i të gjithë atyre që nuk munden. Mbrëmë, në një ceremoni ku merrnin pjesë kineastë, studentë e dashamirës të filmit u mbyll edicioni i radhës, gjatë të cilit u shfaqën 35 filma artistikë e dokumentarë. Ishin zëra nga e gjithë bota nga Italia, Franca, Gjermania, Holanda, Polonia, Tajlanda…, që ngrinin probleme nga më të ndryshmet, trafiku, korrupsioni…, prej të cilave shumëkush mund të jetë prekur. Që nga Siberia e ftohtë e Khodorkovskyt tek Koreja e largët, ku ende këndohen këngë për udhëheqësit e lavdishëm komunistë e kundër “imperialistëve amerikanë”, nga kundërshtarët e Putinit, tek pasardhësit e Korleonëve. Për të qëndruar në Shqipëri me “Amnistinë” e Bujar Alimanit, ku dashuria është e dënuar me vdekje si dy personazhet e tij. Në një javë të ngjeshur programi, nuk u shfaqën vetëm filma, por u zhvilluan edhe debate mbi temat që trajtonin filmat. Qëllimi ishte të angazhoheshin sa më shumë të rinj, të cilëve nesër do t’ju bjerë barra të përballin problematika të vështira që lidhen me të drejtat e njeriut. Gjatë ditëve ishin të pranishëm edhe 14 kineastë, të cilët ndanë eksperiencat e tyre gjatë realizimit të filmave. Disa prej tyre kishin guxuar të xhironin edhe fshehur pamje të ndaluara. Kishin rrezikuar për të sjellë në sy të botës jetën e njerëzve të thjeshtë, që jetojnë jetë, të cilat do të donin t’i ndryshonin. Një ditë më vete iu kushtua njerëzve me aftësi të kufizuara. Të mërkurën, festivali priti 70 mysafirë të veçantë dhe programi i asaj dite iu kushtua tërësisht filmave me tema rreth jetës dhe aktivitetit të këtyre njerëzve që, edhe pse jeta nuk u dha mundësi pa kufi, përpiqen të kapërcejnë sa më shumë barriera. Mbështetëse e këtij aktiviteti ishte ambasadorja britanike, Fiona Mcllëham, e cila nderoi kujtimin e regjisorit të njohur britanik, David Morris, i cili e zhvilloi karrierën e tij mbi karrige me rrota. Për organizatorët e këtij festivali, që çdo vit realizohet në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, për drejtorin ekzekutiv, Kujtim Çashku, dhe Theodore S.Orlin, Presidentin e nderit të IHRFFA, ky edicion e tha fjalën e tij. Ishte një gur më shumë në themelin e të drejtave të njeriut, i cili synon të vazhdojë të ngrihet më lart në edicionin e ardhshëm. Këtë edicion patën një publik më të gjerë, më shumë partnerë, ngritën më shumë probleme e ndërgjegjësuan edhe më shumë njerëz dhe mbi të gjitha nuk ishin të rrethuar me tela. “Në edicionin e 4 dhe të 5 ishim të rrethuar me tela, kësaj here i hoqëm”, tha Çashku. Ndërsa Orlin duke thënë se festivali ka marrë famë ndërkombëtare u shpreh: Është e rëndësishme që të respektohet dinjiteti njerëzor, sepse ky është synimi i festivalit dhe mesazhi që ai përcjell.

Alma Mile – Panorama on line - e Shtunë, 01 Tetor 2011

There are no comments yet. Be the first and leave a response!

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.

Trackback URL http://www.ihrffa.net/festivali-i-te-drejtave-6-dite-arena-e-zerit-te-lire/trackback/