Në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias “Marubi” mbrëmë u mbyll edicioni i 6-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i hapur në datën 25 shtator. Në ceremoni merrnin pjesë regjisorë të pranishëm, por edhe personalitete nga fusha e kinematografisë shqiptare edhe nga politika. Fokusi i festivalit të këtij viti ishte krimi i organizuar dhe lidhja e botës së krimit me politikën dhe mediat. Një ditë e festivalit iu kushtua njerëzve me aftësi të kufizuara. Ndërsa, lirisë së shprehjes, këtij koncepti kaq të debatuar në vendet që aspirojnë demokracinë, iu kushtua dita e enjte. Ajo erdhi me filma që përcollën mesazhe të forta mbi këtë temë dhe historitë e personazheve të kësaj dite erdhën nga vende të ndryshme të botës, por të gjitha kishin një të përbashkët, forcën e shtetit, frikën e pushtetit, dhe heshtjen para tyre. E mërkura e 28 shtatorit në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” solli të tjera emocione. Ambientet e saj u populluan që në orët e mëngjesit nga rreth 70 persona më aftësi të kufizuara, që siç i cilëson Kujtim Çashku: “në modestinë e tyre kanë edhe madhështinë e tyre”. Kjo ditë iu kushtua tërësisht filmave me tema rreth jetës dhe veprimtarisë së këtyre njerëzve, që edhe pse jeta nuk iu dha mundësi pa kufi, përpiqen të kapërcejnë kufijtë e mundësive kur gjejnë mbështetje nga politika të caktuara. Një nga këta mbështetës të mëdhenj, ishte dhe ambasadorja britanike Fiona Mcllëham, e cila nderoi kujtimin e regjisorit të njohur britanik David Morris, i cili e zhvilloi karrierën e tij mbi karrige me rrota. Me filmat e tij dhe praninë e 70 personave me aftësi të kufizuara nisi forumi i kësaj dite, i organizuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, ku vendin kryesor e zunë mesazhet e ambasadores britanike Fiona Mcllëham. Në këtë festival konkurruan afro 350 filma, prej të cilëve u përzgjodhën për t’u shfaqur 35 prodhime filmike të zhanreve të ndryshme, artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër. Një pjesë e filmave që u shfaqën për publikun ishin të ndaluar në vendet e tyre të origjinës. Përveç këtyre, një përzgjedhje e veçantë u kushtua edhe filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët ishin pjesë e forumeve në festival.






















